Nora Loxha-Sahatçiu, shembull i arritjeve me balancim mes familjes dhe punës

Post date: Jan 3, 2014 4:02:34 PM

Nora Loxha-Sahatçiu, është një grua e cila në dukje të parë të jep shembullin e një kosovareje tipike. Nënë e tre fëmijëve, e punësuar dhe në ngritje të sigurt në karrierë dhe me një status të respektuar në shoqëri. Puna të cilën ajo kryen në sferë i jep mundësi të zgjedhë midis jetës para ose pas syve të publikut. Ajo e zgjedh zakonisht të dytën por duke mos e komprometuar mënyrën efektive të punës. Ajo punon dhe kontribuon në aspekte të shumta zhvillimore dhe përmes punës vullnetare u ndihmon të tjerëve kurdo që i jepen mundësitë.

  • Jeta Berisha (KosovaLive 360)

Pozita e saj si specialiste e koordinimit në OKB kërkon të jetë në krye të koordinimit të agjendave zhvillimore të përkrahura nga 21 agjenci, programe dhe fonde të OKB-së që veprojnë në Kosovë. Megjithatë, Nora me modesti flet për sfidat dhe sukseset e zyrës së koordinimit si të ishte një punë e thjeshtë dhe e arritshme për kë do që e do punën e pakursyer. Përveç punës me përgjegjësi ajo merret edhe me familjen e saj, me aktivitet e fëmijëve, me arkitekturë dhe është pjesë e bordit të Fondacionit Salih dhe Isa Nushi.

Me krenari tregon se është e lindur dhe rritur në Mitrovicë, në një familje që ka rrënjët nga Peja dhe Gjakova. E quan veten ‘tamam gjithëkosovare’. Kaloi një pjesë të jetës së saj në SHBA, Shqipëri dhe Kanada, në fund për t’u rikthyer në vendlindje. E konsideron veten person që adoptohet në çfarëdo ambienti, ku mund t’i ofrojë suksese.

Prindërit e Sahatçiut vijnë nga familje intelektualësh dhe artistësh. U rrit në frymën e barazisë gjinore dhe u edukua që së bashku me vëllain e saj Ilirin, të respektojnë të gjithë pa dallim dhe të ndihmojnë familjen dhe rrethin kur të kenë mundësi. Tash vonë drejtori i posa ardhur i Norës i kishte thënë: “Tani po e kuptoj se ti ishe nga ata persona që nuk e kursejnë veten për të ndihmuar të tjerët, por me këtë dëshirë ndonjëherë shkon kundër vetes”.

Nora mbaroi Gjimnazin “Silvira Tomazini” në Mitrovicë për të vazhduar më pas studimet për arkitekturë në UP në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Gjithmonë e shkëlqyer edhe atëherë kur jeta e sfidoi në mënyrat të cilat shumëkujt do t’ia ndërronin rrjedhën dhe interesimet, ajo vazhdoi jetën private, shoqërore dhe atë të karrierës me kokën lartë dhe duke u bërë model i arritjeve për shumëkënd në rrethin e saj.

E martuar në moshë shumë të re, në fillim të studimeve, Nora vazhdoi dhe mbaroi me sukses fakultetin duke balancuar mes ambicieve dhe familjes; me rritjen e djalit të saj, Nolit, pastaj edhe vajzës, Vestës, si dhe bashkëjetesës në një familje të madhe, shumë mikpritëse dhe tradicionale. Sahatçiu flet me admirim për përkrahjen që ka pasur gjatë kësaj kohe nga i shoqi Valdeti dhe familja e saj dhe e tij.

“Përkrahja që kam marrë nga familja, si në formë praktike e gjithashtu morale dhe emocionale, ka qenë shtytje për të ndjekur ambiciet e mija. Së pari me fakultetin e pastaj edhe punën”, pohon Sahatçiu.

Megjithëse ishin të paktë ata që besonin, Nora përfundoi fakultetin dhe më pastaj edhe masterin për Ekonominë e Kulturës në Romë.

Karrierën e saj profesionale e filloi më 1995 kur së bashku me dy kunatat arkitekte e hapën byronë e parë të planifikimit me menaxhim dhe meekip prej tri femrash. Të punosh me një grup femrash në byro planifikimi ne mes te viteve të ’90-ta ishte një hap shumë jokonvencional dhe jo i lehtë. Në një shoqëri patriarkale ku besimi në aftësitë profesionale të femrave në sferën e inxhinierisë ishte shumë më i ulët se sot, e një gjë e tillë e ka detyruar atë si pjesë e ekipit të gjejë mënyra kreative për të arritur gjerë të caku i dëshiruar. Ngritja e besimit dhe renomesë së Byrosë “Pro-Arch” tek klientët e mësuar vepron në sferën e inxhinierisë si territor burrash, e Byroja vazhdon të punojë edhe sot e kësaj dite.

Me keqësimin e situatës në vitin 1998, ajo kaloi të punonte me World Vision International si inxhiniere e rindërtimit të shtëpive të rrënuara nga ofensivat e ushtrisë serbe në Suharekë dhe Malishevë. Në 1999 vazhdon punën me World Vision në Tiranë në ndihmë strehimit dhe akomodimit të refugjatëve kosovarë nëpër tërë Shqipërinë. Në ndërkohë merrej edhe me gjetjen e të shoqit i cili kishte mbetur për afro dy muaj nëpër Kosovë dhe në Bllacë së bashku me mijëra refugjatë gjatë spastrimit etnik kosovar.

Kjo kohë ishte kthim 180 shkallësh në jetën e Norës. U nis të kërkojë një jetë më të mirë në Kanada, sa bashku me dy fëmijët dhe të shoqin, me të cilin u ribashkuan pas afro dy muajsh agonie e të qenit e ndarë dhe pa dijeni nëse do të shiheshin përsëri.

Në Kanada shumë shpejtë u punësua si arkitekte e re (junior architect) në firmën e quajtur “Graham Crockart Architects Inc.”- tani e riemëruar si “Integra Architecture” në Vankuver. Ky ishte një test për të që kishte mundësi për karrierë jashtë Kosovës, e një gjë të tillë e dëshmoi me punën e saj atje. U kthye nga Kanada pas tre vitesh për të vazhduar me punën në rindërtimin e Kosovës me përvojë të çmuar të inxhinierisë kanadeze. Punoi ne UNOPS për tre vite me pastaj u rikthye në Kanada për të lindur fëmijën e tretë, Lisën e vogël, si e quan ajo princeshën e familjes.

Me kthimin e sërishëm në Kosovë në 2004, Sahatçiu bëri një ndryshim të ri në karrierën e saj duke u marrë profesionalisht me ndërmjetësimin si metodë alternative në zgjedhjen e konflikteve. E kujton me shumë kënaqësi këtë kohë të punës me Partners Kosova (Qendra për menaxhimin e konflikteve), ku u njoh me një aspekt tjetër të punës sociale dhe diplomatike dhe të ndihmës së komuniteteve, familjeve dhe personave.

Kjo kthesë e barti më tej në diplomaci përmes punës që kreu si menaxhere e projektit të UNDP-së në Kuvendin e Kosovës, ku shërbeu si person kyç për përafrimin e politikave dhe proceseve zhvillimore të Kosovës me objektivat zhvillimore të mijëvjeçarit (Millennium Development Goals- MDGs), punë që vazhdon ta kryejë edhe sot në pozitën tani si koordinatore.

Nora beson se me një përgjegjshmëri më të madhe të të gjitha institucioneve të Kosovës mund të kemi mundësi t’i arrijmë disa nga këto tetë objektiva deri në vitin 2015. Kjo do t’ju mundësojë qytetarëve të kenë një jetë më dinjitoze me një shkollim më kualitativ, punësim të bazuar në konkurrencën fer, në kërkesat e ekonomisë së tregut bashkëkohor, shërbimeve cilësore shëndetësore dhe ambienteve të qëndrueshëm.

Një pikë kyçe e punës së asaj lidhet me ata të cilët janë të lënë anash shoqërisë sonë, me grupet e papërfshira siç janë të varfërit, të rinjtë, njerëzit me aftësi të kufizuara, nënat vetëbartëse etj. Këto grupe janë pjesë e kornizës afatmesme të agjencive të OKB-së, por janë edhe si “lajtmotivi” personal i saj.

Këtë e ka dëshmuar me angazhimin e saj vullnetar tash që katër vite në fondacionin Salih dhe Isa Nushi – fondacion familjar i cili merret me akordimin e bursave për studentët e dalluar, talentë, vizionarë dhe të pa përfshirë për shkak të kushteve të dobëta të jetesës. Së bashku me pesë anëtarët tjetër të Bordit të fondacionit, çdo vit sigurohen tre deri në gjashtë bursa për studentë të dalluar dhe të varfër të regjistruar në UP.

Këtë pjesë të punës Nora e konsideron si më për zemër sepse e sheh rezultatin konkret të suksesit të studentëve, të cilët çdo vit përfitojnë shkollimin nga fondacioni, ndryshe do të rrinin në shtëpi në mungesë të bursës. Sidomos është e lumtur që vajzat janë ato të cilat posaçërisht përfitojnë nga kjo mundësi sepse ato shpesh janë të lëna anash..

Për të dëshmuar rëndësinë e kësaj iniciative vullnetare, FIQ e ka shpërblyer Fondacionin me çmimin FIDES për filantropi në vitin 2013. Ky shpërblim është dhënë për kategorinë e diasporës dhe është marrë si shembull i një organizimi familjar i cili mund t’i ofrojë shumë një shoqërie me pak vullnet të mirë dhe zemër të hapur. Këtë iniciativë mund ta replikojë çdo familje apo grup i komunitetit madje edhe njerëz të një shtrese mesatare të shoqërisë. Shpesh perceptohet se vetëm biznesmenët dhe të pasurit mund të ofrojnë ndihma financiare për të varfëritë e shtresave të ndryshme.

“Në fakt të gjithë ne pjesëtarët e Fondacionit Salih dhe Isa Nushi, jemi njerëz profesionistë të cilët nuk kemi biznese private por punojmë në menaxhim, mjekësi, gjyqësi dhe inxhinieri në sektorin publik dhe me organizata ndërkombëtare”, shprehet ajo.

Kjo është e bukura e angazhimit të tyre dhe mesazhi i Norës për publikun është që paralelisht me punën e përditshme, të ndihmoni njerëzit rreth jush në forma të përshtatshme për ju.

“Të punojmë shumë për vete por të mos kursejmë për të ndihmuar të tjerët, si që gjithmonë e ka diktuar tradita jonë shqiptare. Kjo është shpërblyese në shumë mënyra”, potencoi Nora Loxha-Sahatçiu. /jeta berisha/