Isa Nushi

U lind në Mitrovicë më 05.04.1933 dhe vdiq më 01.01.2000. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën Normale në Prishtinë. Shkollen e lartë pedagogjike dhe atë të shkencave politike e kreu në Universitetin e Beogradit. Ka qenë mësimdhënës dhe drejtor i shkollës fillore në Zhabar të Mitrovicës, pastaj kryetar i rinisë në Mitrovicë. Poashtu ishte drejtor në shkollën fillore “Meto Bajraktari” në Mitrovicë. Ishte keshilltar për Arsim pranë kuvendit komunal ne Mitrovicë si dhe kryetar i lidhjës së sindikatave të Mitrovicës.

Në vitet 1972-1976 ka qenë nënkryetar i kuvendit komunal në Mitrovicë. Pastaj dy vite drejtor i klubit futbollistik “Trepca” nga Mitrovica, në suksesin më të madh të ketij klubi, i cili luajti në ligën e parë federative në ish-Jugosllavi. Nga viti 1977 – 1981 ishte keshilltar në lidhjën e sindikatave të Mitrovicës dhe njikohësisht delegat i federatës sindikale të republikës së Serbisë dhe të ish-federatës Jugosllave. Në vitin 1982 u emërua drejtor i bashkësisë vetqevererisëse të interesit për kulturë të komunës së Mitrovicës.

Nga viti 1989 -1991 ishte drejtor i arkivit historik në Mitrovicë, nga edhe pensionohet më 1992. Gjatë punës së tij si mësues dhe drejtor i shkollave fillore dhe si kryetar në departamentin për arsim ne kuvendin komunal të Mitrovicës, me qëndrimin parimor e pavarësinë në punë gjatë mandatit të tij nuk lejoi të cungohen dhe të nëpërkëmbën të drejtat e proklamuara në arsimin kombëtar. Ishte iniciatorë i hapjes së shumë shkollave fillore në disa fshatra në rrethin e Mitrovicës, kryesisht në ato me shumicë shqiptare. Ishte iniciator dhe përkrahës i idesë për themelimin e festivalit ”Takimet e punëtorëve kulturorë” te republikave dhe krahinave të ish-Jugosllavisë, që tradicionalisht mbaheshin në Mitrovicë. Si punëtor sindikal, ishte mbrojtës i denjë i te drejtave të punëtorëve. Ishte idhëtarë dhe iniciator për kthimin e inteligjencës sonë në trevat e Mitrovicës. Duke bëre renovime dhe riparime, gjatë mandatit të tij si drejtor i arkivit, bëri që disa dokumente të vjetra dhe monumente historike ta rikthejnë vleren e tyre të merituar. Gjithashtu ishte bartës i disa mirënjohjeve dhe dekoratave.

Së bashku me bashkëshortën Nerxhivanen rritën tre djem: Dritonin, Edmondin dhe Bujarin.